Covid-19 do të nxisë një valë të re inovacionesh

Ja cilat janë dy kompanitë më të vjetra në Shqipëri
March 31, 2020
#GO2Innovation | OnlinePitching
April 5, 2020
Show all

Covid-19 do të nxisë një valë të re inovacionesh

Fatkeqësitë, si krizat ekonomike dhe pandemitë ndryshojnë trajektoren e qeverive, ekonomive dhe bizneseve – duke ndryshuar rrjedhën e historisë. Murtaja e viteve 1300 rrëzoi sistemin feudal të rrënjosur në Europë dhe e zëvendësoi atë me kontratën më moderne të punës. Vetëm tre shekuj më vonë, një rënie e thellë ekonomike – falë luftës 100-vjeçare midis Anglisë dhe Francës – i dha shtysë inovacioneve që përmirësuan rrënjësisht produktivitetin bujqësor.

Më vonë, pandemia SARS e viteve 2002-2004 solli rritjen e shpejtë të një ndërmarrje asokohe të vogël për shitje online të quajtur Ali Baba, duke e bërë atë biznesin më të rëndësishëm të shitjes me pakicë në Azi. Edhe krizat financiare të 2008 prodhuan efektet e veta anësore. Airbnb dhe Uber fituan popullaritet në të gjithë perëndimin, pasi të ardhura më të ulëta i detyruan njerëzit të përdorin shërbime akomodimi dhe udhëtimi të përbashkëta, në mënyrë që të shpenzojnë më pak. Në valën e këtyre inovacioneve, edhe videogame-t ndryshuan me shpejtësi aq sa në vitin 2011 ishte kulmi i biznesit të lojërave online pa pagesë, falë Nexon në Azi dhe King në perëndim.

Me Covid19, ne tashmë po shohim shenjat e para të një ndryshimi në mënyrën se si sillen konsumatorët dhe bizneset. Puna në distancë po inkurajohet nga kompanitë teknologjike dhe jo-teknologjike njësoj, përfitimi i linjave ajrore po ndikohet nga rezervimet e ulëta, zinxhirët e furnizimit global po prishen dhe dyqanet e vogla po mbarojnë rezervat me ibuprofen, ushqime dhe letra higjienike.  Disa nga këto ndryshime janë përgjigje direkte e afatshkurtra ndaj krizave dhe do të kthehen në normalitet pas frenimit të Covid19. Sidoqoftë, disa nga këto ndryshime do të vazhdojnë më tej, duke krijuar zhvillime të reja teknologjike që do të përmirësojë bizneset për dekadat në vazhdim.

Tre dimensionet e ndikimit

Pandemitë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në dimensione biologjike, psikologjike dhe ekonomike. Intensiteti i tyre ndryshon në varësi të vdekshmërisë dhe shkallës së të infektuarve me patogjenin në fjalë, si dhe kohës gjatë të cilës arrin të përhapet.

Për Covid19, ndikimi biologjik ishte i shpejtë dhe dha goditjen më e fortë për të moshuarit. Ndikimi psikologjik mund të vërehet në tregjet e aksioneve në të gjithë botën – investitorët nuk janë të sigurtë për të ardhmen, sepse lajmet mbi përhapjen e Covid19 dhe ndikimi i tij në produktivitetin global është i paplotë dhe me raste i gabuar. Popullsia globale po përballet gjithashtu me ndikim psikologjik, me moral të ulët dhe izolim të shtuar pasi kontakti njerëzor dhe liria për të udhëtuar po zvogëlohen shumë. E fundit, por jo nga rëndësia, ndikimi ekonomik ka qenë domethënës. Në një kohë të shkurtër, furnizimi me produkte të ndryshme thelbësore është ndërprerë dhe kërkesa për produkte dhe shërbime të ndryshme ka rënë. Nëse kjo vazhdon, Covid19 mund të ndikojë shumë negativisht në PBB-në globale.

Inovacionet dhe ndryshimet në trende do të vijnë kur konsumatorët dhe bizneset të përpiqen seriozisht të normalizojnë ndikimin në dimensionet psikologjike dhe ekonomike – me kusht që të arrihet frenimi dhe të zgjidhet ndikimi biologjik. Studimi i mbi 50 startup-eve që fituan terren në kohërat e krizave globale i parë nga ky këndvështrim bëhet më i qartë. Si fillim, një rënie ekonomike zakonisht sjell një përshpejtim të ndryshimit të modelit të biznesit, duke ulur kostot e shërbimeve dhe çmimet. Nga ana tjetër, pandemitë priren të krijojnë kategori plotësisht të reja biznesesh. Gjithashtu është e qartë se si pandemitë ashtu edhe rëniet ekonomike janë përshpejtues të inovacioneve përkundër të qenit shkaqet e drejtpërdrejta të saj dmth, këto start up-e dhe ide biznesi ekzistonin, por fituan popullaritet falë një ngjarjeje fatkeqe. Duke konsideruar këto fakte, më poshtë janë tre risi në nivel makro që mund të priten pas Covid19.

Zinxhirët e shpërndarjes do të përshtaten me ekosistemet

Zinxhirët e shpërndarjes globale janë fokusuar prej kohësh drejt mbajtjes së cilësisë relativisht konstante ndërsa operojnë me kosto më të ulët. Kjo ka rezultuar me rrezik të konsiderueshëm në terma gjeografik dhe shitësve me shumicë për kompanitë. Për shembull, duke zvogëluar shpërndarjet për shkak të Covid19 dhe duke krijuar një ndikim në furnizimin global që po shohim sot, Kina ka ekspozuar mungesën e rezistencës në këtë qasje. Ekziston një nevojë e madhe për një shpërndarje më gjithëpërfshirëse, të koordinuar dhe të gjurmueshme të komponentëve nëpër hapësira gjeografike të shumëfishta dhe shitësve me shumicë duke ruajtur ekonominë e shkallës. Kjo do të kërkojë ngritjen e platformave globale me teknologji të sofistikuar si 5G, robotikë, IoT dhe blockchain për të ndihmuar lidhjen e blerësve me shitësit me shumicë në rrjetën e zinxhirëve të shpërndarjes. Kjo gjithashtu do të ketë një ndikim në miratimin e makinave vetë-drejtuese dhe dronëve për shpërndarje, pasi kërkesat e blerjeve online do të tejkalojë numrin e shoferëve në dispozicion për t’i përmbushur ato. Platforma e zakonshme B2B dyshon se Amazon dhe Ali Baba ka të ngjarë të fitojnë terren dhe të konkurrojnë për pronësinë e këtij ekosistemi më të sofistikuar të zinxhirit të shpërndarjes në dekadën e ardhshme.

Burokracitë dixhitale do të bëhen të zakonshme

Covid19 ka bërë që burokracitë qeveritare të vihen në veprim më shpejt se kurrë më parë. Kina theu rekordin duke ndërtuar një spital 60.000 m2 në vetëm 10 ditë në Wuhan. Koreja e Jugut bëri testimin e shpejtë të mbi 200,000 qytetarëve të saj dhe përdori telefonat celularë për të etiketuar lëvizjen e të infektuarve – duke paralajmëruar jo të infektuarit nga ato lëvizje përmes azhurnimeve në kohë reale. Të gjitha këto mundime, si dhe transparenca e ndikimit biologjik, mund të ishin përmirësuar nëse në botë do të kishte qytete më të zgjuar. Sipas studimit të fundit nga Universiteti i Glasgow, vetëm 27 nga 5,500 qytete të mëdha konsiderohen të tillë. Ndërsa qeveritë mësojnë nga përvoja Covid-19, ajo do të zhvendosë investimet në favor të qyteteve të zgjuar, pasi do të ishte kritike në menaxhimin më mirë të fatkeqësive. Aktorët kryesorë që përfitojnë nga këto risi do të ishin qeveritë e zgjuara, kompanitë si Cisco, Microsoft dhe Siemens si dhe startup-et për qytetet dixhitalë nëpër Europë dhe SHBA.

Ndihma për shëndetin mendor do të ofrohet në masë në mënyrë dixhitale

Covid19 ishte një përshpejtues për adaptimin e punës në distancë, si dhe arsimin në internet. Ajo që është më e vështirë të kuptohet është ajo që do të ndodhë pasi një shumica e të punësuarve duhet të punojë së bashku nga distanca, pa një kohë të caktuar. Ka të ngjarë që kjo zhvendosje të ndikojë në moralin, produktivitetin dhe shëndetin mendor të punëtorëve në të gjithë globin dhe bizneset duhet të përgatiten për të. Për kompanitë që kërkojnë të shtojnë ndërveprimin njerëzor në mënyrë dixhitale në vendin e tyre të punës, zgjedhjet janë të kufizuara sot. Për individët që punojnë në distancë, gjërat po duken shumë më mirë. Disa startup-e të shëndetit mendor si Braive dhe Moment Pebble mund të dyfishohen në zgjidhjen e problemit të izolimit ndërsa aplikacionet e rrjeteve të biznesit, siç është Ripple mund të ndihmojnë në zgjidhjen e mentorimit dhe sfidave të zhvillimit që vijnë me të qenit punëtor në distancë.

Bota pas koronavirusit

Covid19 është një tronditje e tmerrshme për ekonominë globale, si dhe mijëra individë dhe familje që ka prekur. Kompanitë duhet të sigurohen menjëherë se shëndeti dhe siguria e punëtorëve, partnerëve dhe furnitorëve të saj qëndrojnë në krye. Për një periudhë më të gjatë, Covid19 ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme mënyrën se si bizneset do të konkurrojnë gjatë dekadës së ardhshme. Kompanitë që zgjedhin të përfitojnë nga këto ndryshime themelore do të kenë sukses dhe ato që nuk do të thyhen. (VIJA, Nr.18, fq. 6, Mars 2020)

(Marrë nga Entrepreneur)
Përktheu: Fatlinda Hasaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *