Sipërmarrës të turizmit në Shkodër diskutojnë draft-Protokollin e Masave Anti-Covid përgjatë Sezonit Turistik

“Natyra ime” shpallet fituese e Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta
May 8, 2020
A mund ta shpëtojë tregu i brendshëm turizmin shqiptar?
May 8, 2020
Show all

Sipërmarrës të turizmit në Shkodër diskutojnë draft-Protokollin e Masave Anti-Covid përgjatë Sezonit Turistik

DEBAT

Pjesë e horizontit të zymtë të shumë sektorëve të ekonomisë botërore, ku vetëm turizmi mund të humbë mbi 100 milionë vende pune, sipërmarrjet shqiptare dhe sidomos ato të turizmit, janë në një gjendje pasigurie dhe ankthi, që për disa mund të rezultojë agoni.

Me një rekord historik rezervimesh të anulluara, strukturat akomoduese, e për rrjedhojë edhe shërbimet dhe atraksionet e ndërvarura prej tyre, janë në luftë për ekzistencë. Shoqata e Hotelierëve projekton humbje mbi 140 milionë euro, shifrat publikuara nga AADF tregojnë për 80-85% reduktim të ardhurash për sipërmarrjet e zonave urbane më atraktive për turistët në Tiranë, Krujë, Berat, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, e sigurisht edhe Shkodër, ndërsa projeksionet e institucioneve të tjera janë gjithashtu pesimiste. Megjithatë disa vendime të Qeverisë për rimarrjen e ngadaltë të jetës në vend, mund të kthejnë pak shpresë te sipërmarrjet, por hapja e tyre duhet të shoqërohet me një sërë masash të rrepta sigurie.

Në fillim të Majit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikuan një draft me titull Protokoll për Masat Anti-Covid përgjatë Sezonit Turistik. Sikurse thuhet në hyrje të këtij dokumenti mbështetës prej 48 faqesh, ai është hartuar “duke u konsultuar gjerësisht me të gjithë grupet e interesit vendas dhe të huaj, si dhe bazuar në praktikat më të mira Europiane dhe Botërore” dhe se këto masa janë “të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha sipërmarrjet e aktiviteteve turistike”. Ndërkohë, dokumenti e saktëson se “sipërmarrje të aktiviteteve turistike” do të konsiderohet por pa u kufizuar, çdo sipërmarrje që ofron shërbimin e akomodimit, ushqimit/pijeve, plazheve, aktiviteteve rekreative, transportit të turistëve vendas dhe/ose të huaj, udhërrëfyesve turistikë etj, përfshirë gjithë stafin e tyre me kohë të plotë dhe/ose të pjesshme”.

Si një paketë e vërtetë kufizimesh dhe ndalimesh me kosto mjaft të lartë që nga pajisjet personale, te transporti dhe deri te punësimi ose emërimi i një Koordinatori Anti-Covid për çdo sipërmarrje të aktiviteteve turistike, Masat e propozuara detyrojnë çertifikimin e këtyre sipërmarrjeve si “Strukturë e Kontrolluar”. Sipas draft-Protokollit, aplikimi për çertifikim bëhet duke dërguar një formular me kriteret e Aneksit #3 dhe Aneksit #4 në adresën elektronike të Ministrisë së Turizmit. Mirëpo dokumenti nuk e qartëson nëse për regjistrimin do të mjaftojë vetëdeklarimi, apo do të duhet që punonjësit e Agjensisë Kombëtare të Mjedisit të kryejnë verifikimet e çdo sipërmarrjeje. Në rastin e parë, çerfitikimi do të demaskohej si një formalitet i panevojshëm, ndërsa për rastin e dytë, duke ditur se turizmi është një nga sektorët më informalë, sipërmarrjet e paregjistruara mund të paraqesin problem për shëndetin e vizitorëve.

Të njëjtat kufizime u shpallën, këtë herë në formën e urdhëresave të padiskutueshme, edhe për baret dhe restorantet, të cilat janë po aq të rëndësishme sa edhe akomodimi, për turizmin. Rregullat e reja, të shpallura në platformën qeveritare e-Albania, përveç kufizimeve të tjera, tëntojnë të nxjerrin nga qarkullimi paratë, pasi pas 18 Majit – data e caktuar për hapjen e tyre – pagesat në bare dhe restorante rekomandohen të bëhen më karta krediti. Po ashtu sikurse strukturat hoteliere, edhe restorantet duhet t’u masin temperturën stafit dhe klientëve, si dhe t’u shërbejnë klientëve nga një distancë prej jo më pak se 1.5 metër.

Pikërisht për të diskutuar propozimin e Qeverisë, gazeta VIJA ka ftuar në debatin e këtij numri, disa sipërmarrës të turizmit në Qarkun Shkodër. Në mesin e 60 sipërmarrjeve që aplikuan në #GO2Innovation gjatë muajit Mars për të marrë shërbimet e kësaj Qendre Inovacioni për Turizmin dhe Agrobiznesin, ne ftuam ata që aplikuan si zotërues të strukturave akomoduese. Nga Lëpusha si kartolinë e deri në fushat e Zadrimës në Barbullush, nga Thethi i thepisur e deri në Ganjollë e nga Kopliku i Sipërm e deri në Anën e Malit, e natyrisht në Shkodër – në këtë numër të gazetës VIJA do të lexoni përgjigjet e sipërmarrësve për 3 pyetjet tona të debatit: Si do t’ia dalë turizmi me kufizimet absurde prej pandemisë? (VIJA)


Pyetjet e debatit

1. A jeni njohur me propozimin e Qeverisë për Protokollin e Masave të Sigurisë Anti-Covid në Sezonin Turistik dhe si e mendoni zbatimin e tij në biznesin tuaj?

2. A jeni përpjekur të gjeni zgjidhje të tjera alternative ndaj Masave të propozuara dhe kërkesave të klientëve?

3. Cilat mendoni se do të jenë pasojat socio-ekonomike të zbatimit të këtyre Masave të Sigurisë në biznesin tuaj?

(Gazeta VIJA Nr. 20, fq.2, Prill 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *