Aida Gjeçaj – E shoh disi të vështirë zbatimin real të Masave

Prodhimet shqiptare të jenë të pranishme në çdo tavolinë – Kantina Kopliku
May 10, 2020
Mentorimi – një risi për sipërmarrësit e #GO2Innovation
June 11, 2020
Show all

Aida Gjeçaj – E shoh disi të vështirë zbatimin real të Masave

Sipërmarrësit e turizmit në Shkodër diskutojnë draft-Protokollin e Masave Anti-Covid të Qeverisë përgjatë Sezonit Turistik 2020

Pyetjet e debatit:

  1. A jeni njohur me propozimin e Qeverisë për Protokollin e Masave të Sigurisë Anti-Covid në Sezonin Turistik dhe si e mendoni zbatimin e tij në biznesin tuaj?
  2. A jeni përpjekur të gjeni zgjidhje të tjera alternative ndaj Masave të propozuara dhe kërkesave të klientëve?
  3. Cilat mendoni se do të jenë pasojat socio-ekonomike të zbatimit të këtyre Masave të Sigurisë në biznesin tuaj?
Aida GJEÇAJ
Vila Gjeçaj, Theth
Thethi-Guide
Feel Albania

1. Sapo u konfirmuan rastet e para me Covid-19 në Shqipëri, ne u përballëm me anullimet e para, por shqetësimi më i madh ishte për atë se çfarë do të vinte më pas.

Si pjesë e Shoqatës e Turizmit kemi diskutuar sesi të ulim impaktin e goditjes në turizëm dhe ATA i ka përçuar më së miri idetë tona pranë Qeverisë.

E e shoh disi të vështirë zbatimin real të Masave nga Bujtinat Alpine, një prej të cilave e ka në pronësi edhe familja ime. Që këto masa të zbatohen duhen investime të konsiderueshëm në mjete, pajisje dhe burime njerëzore për një sezon të përgjysmuar në kohë. E vështirë do të jetë edhe për transportin drejt Alpeve. Numri i vogël i pasagjerëve që do të duhet të jenë në këto mjete transporti do të ndikojë në kosto, si rritja e çmimit të biletës, por mund të ketë edhe mosaktivizim të liçencës.

Një tjetër mangësi në draft-Protokoll është mosparashikimi i vizitave në muze, parqe arkeologjike dhe zona të mbrojtura.

2. Përtej investimeve që do të na duhet të bëjmë për masat e draft-Protokollit, aplikimi praktik në strukturat akomoduese në Alpe është disi më i lehtë, sepse dhomat janë minimaliste, me pak aksesorë që mund të përcjellin virusin, ndërkohë që hapësirat jashtë mundësojnë restorante me largësinë e nevojshme.

Gjithashtu për të mos lejuar që 15% e çmimit të shkojë te platformat e huaja si Airbnb apo Booking, për rezervimet do të listojmë të gjitha strukturat akomoduese alpine në faqen tonë www.thethi-guide.com me kontaktet e tyre direkt dhe njëkohësisht falas.

Si tur operator kemi punuar rreth 90% vetëm me turistë të huaj dhe tani po mundohemi të përshtasim ofertat dhe shërbimet tona për një klientelë vendase, edhe pse ne shqiptarët nuk e kemi kulturë blerjen e paketave turistike dhe sigurisht që kjo do të ndikojë në punën tonë.

3. Pasojat në strukturat akomoduese:

– Nuk përfituan asnjë qindarkë nga Paketat e Ndihmës Financiare 1 dhe 2, pasi ishin biznese të pezulluara;

– Të gjithë kanë marrë kredi bankare për të mbuluar në vazhdimësi investimet e bëra. Nëse nuk do të punojnë, do të jetë e vështirë për të shlyer këste, ndërkohë që bankat kanë bërë vetëm një shtyrje 3-mujore.

– Shumica e tyre kanë bërë investime në vjeshtë dhe nuk kanë kursime (për të konsumuar “dhjamin e tyre” sikurse thuhet nga Qeveria).

– Do të ketë në rastin më të mirë një sezon më të shkurtër, me më pak turistë dhe me më pak të ardhura (sepse deri në Gusht nuk parashikohet të ketë turistë të huaj), por duke shpresuar se turistët shqiptare do të lëvizin në fundjava.

– Kostot shtesë për masat mbrojtëse njëpërdorimshe që duhet të ndërrohen minimumi 3 herë në ditë, pajisje si termometrat dhe purifikuesit e ambienteve etj.

– Kostot shtesë për staf të trajnuar në trajtimin e turistëve;

– Rreziku i ndotjes së ambientit në zonat alpine, që po nuk u menaxhua, do të ketë pasoja dhe për vitet në vazhdim, si psh., hedhja e maskave dhe dorezave në natyrë nga turistët apo hedhja e mbetjeve plastike në lumenjtë e zonës etj.

Përsa i përket agjensisë, si tur operator, pasojat do të jenë:

–  Nuk do të mund t’u shërbejmë grupeve, pasi kushtëzohemi nga transporti dhe kostot e tij.  Nëse një grup 20 veta dikur e merrnim me një furgon, sot do të na duhen dy të tillë dhe kjo i rrit kostot.

– Nëse do të hapen kufijtë dhe ne do të presim individë, familje apo grupe të vogla, shumë prej tyre do kërkojnë siguri nga bujtinat dhe restorantet ku do i dërgojmë. Këto struktura duhet të sigurojnë çetifikatën “Strukturë e Kontrolluar” dhe kjo nuk është në dorën tonë.

– Si tur operator i ri, me pak shpenzime fikse, ne do ta kemi disi të lehtë t’i rezistojmë kësaj krize, ndryshe nga tur operatorët e mëdhenj me shumë staf e kosto të tjera që vijnë nga parapagesa ndaj të tretëve, kredi, paga e këste të konsiderueshme tatim-fitimi i parapaguar.

– Gjithashtu për shkak të përmasave të biznesit tonë, edhe rimëkëmbja shpresojmë të jetë më e shpejtë në një fazë të dytë.

(Gazeta VIJA Nr. 20, fq.4, Prill 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *