Mentorimi – një risi për sipërmarrësit e #GO2Innovation

Aida Gjeçaj – E shoh disi të vështirë zbatimin real të Masave
May 12, 2020
VIJA |21| – journal on built and natural environment
June 19, 2020
Show all

Mentorimi – një risi për sipërmarrësit e #GO2Innovation

15 sipërmarrës të turizmit dhe agrobiznesit në Qarkun Shkodër po mentorohen nga 5 ekspertë të fushës

Mentorimi është njëri prej shërbimeve më të vlefshme që #GO2Innovation po ofron përgjatë gjithë muajit Qershor për sipërmarrjet e turizmit dhe agrobiznesit të Qarkut Shkodër. Në mesin e 60 sipërmarrësve që kanë aplikuar për shërbime në Qendrën #GO2Innovation, janë përzgjedhur 15 sipërmarrës, me të cilët po punojnë ekspertë me karrierë të gjatë në fushat e mentorimit të start up-eve dhe zhvillimit të produktit, të menaxhimit të biznesit dhe inovacionit social, të turizmit dhe të lidershipit. Sipërmarrës që ushtrojnë aktivitetin e tyre në biznese të gjitha niveleve, që nga komplekset gjigante turistike e deri te studentët që kanë vetëm ide për të ngritur një biznes të tyrin, do të jenë për disa javë rresht në qendër të vëmendjes së mentorëve për të menaxhuar më mirë, për të riorientuar investimet, por edhe për të kthjelluar dhe përpunuar energjitë e tyre. Por jo vetëm kaq: seancat me coach të çertifikuar dhe me trajnerë me përvoja ndërkombëtare, po i aftësojnë sipërmarrësve për të parë mundësi të reja për bizneset e tyre edhe në këtë periudhë tepër të vështirë, sidomos për turizmin.

Mirëpo edhe pse të angazhuar maksimalisht, për mentorët e karrierës seancat e mentorimit me bizneset janë një punë rutinë. Por krejt ndryshe e përjetojnë sipërmarrësit, për të cilët, mentorimi është një përvojë absolutisht e re. Të mësuar me trajnime kolektive, ata e kanë vlerësuar maksimalisht shërbimin e mentorimit, së pari si respekt dhe angazhim maksimal të ekspertëve të #GO2Innovation, e së dyti si mënyrë e re dhe tepër efikase për trajtimin e problematikave me të cilat haset biznesi, por edhe ata vetë.

Mentorët e angazhuar pranë #GO2Innovation janë:

  • Pezana Rexha, Sipërmarrëse & Mentore e Zhvillimit të Produktit

Pezana Rexha është sipërmarrëse që në moshën 18-vjeçare dhe pasionet e saj i ka ndarë mes arkitekturës dhe sipërmarrjes. Më 2013 ka themeluar sipërmarrjen sociale “Design by Pana” që dizenjon e prodhon mobilje e aksesorë përmes drurit të ricikluar të paletave dhe mobiljeve të vjetra. Për 7 vjet, Pana ka pasur sukses jo vetëm në pjesën e biznesit, por edhe duke fituar çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, si psh: si vendi i dytë në Europë, për sipërmarrjet sociale – Social Innovation Tournament 2015.

  • Shkëlzen Marku, Mentor i Sipërmarrjes në Turizëm dhe Inkubatorit

Shkëlzen Marku është bashkëthemelues dhe drejtor menaxher i Yunus Social Business Balkans, rganizatë që mbështet ndikimin e sipërmarrjes në vendet e Ballkanit Perëndimor.  Ai është sipërmarrës, trajner biznesi, mentor dhe anëtar bordi në kompani, fondacione dhe në institute të ndryshme kërkimore e financiare. Që prej 2017 ai shërben si ambasador i Forumit Botëror për Inovatorët në Zvicër, si dhe në institucione si Banka Botërore, IFAD, FAO, UNDP, DfID etj. Prej 20 vitesh është lektor në disa universitete në Shqipëri.

  • Mireda Thana, Sipërmarrëse & Coach biznesi dhe lidershipi

Mireda Thana, një Coach biznesi dhe lidershipi, është trajnuar nga CTI në Zvicër dhe Hollandë dhe gjithashtu është e çertifikuar nga Team Coaching International me titullin “Coach i çertifikuar për zhvillim ekipi”. Përvoja e saj e mëparshme profesionale është e lidhur me marketingun dhe financat, dhe gjithashtu edukimi akademik në Ekonomi (Master i Shkencave), çështjet Sociale dhe Planifikimi & Marketing i Avancuar i mundësuan asaj si trajnere të ndërthurë njohuritë në sektorin e ndërmarrjeve private me ekspertizen në fushën e coaching.

  • Ivo Krug, Mentor i Menaxhimit të Inovacionit Social & Start Up

Ivo Krug është bashkëthemelues i OJQ Tek Bunkeri, një Organizatë që inkubon ndërmarrjet shoqërore dhe angazhon komunitetet në nisma të zhvillimit të qëndrueshëm. Ai ka studiuar Menaxhim Europian dhe Studimet Interdisiplinare të Europës Lindore në Berlin dhe Barcelonë. Ai ka punuar për zhvillimin e biznesit, të sektorit kulturor dhe marrëdhëniet qeveritare dhe si koordinator në projekte me partnerë ndërkombëtarë. Që nga 2019 ai punon si trajner dhe mentor në Menaxhimin e Inovacionit Social dhe Start Up-et, me teknikat e Mendimit të Dizajnit dhe Ndryshimit Sistemik për të punuar rreth sfidave specifike të sipërmarrësve ose ndërmarrjeve. Ai është anëtar i Ashoka ChangemakerXChange, rrjeti Robert-Bosch-Alumni dhe MitOst e.V. dhe rrjeti global i sipërmarrësve social make_sense.

  • Jasmina Lumanaj, Mentore e Menaxhimit të Biznesit dhe Start Up-eve

Jasmina Lumanaj mban gradën “Doktore e Shkencave Ekonomike”. Ajo është drejtore e Shkollës së Mesme Profesionale “Hamdi Bushati”, institucion arsimor që ofron formim profesional në hoteleri-turizëm, ekonomi dhe konfeksione. Si drejtuese e një shkolle profesionale në këto fusha, Lumanaj ka arritje të suksesshme 6-vjeçare, kryesisht në marrëdheniet me bizneset hoteliere. Ajo është angazhuar në Këshillim Karriere dhe Mentorim të sipërmarrjeve start-up. Gjithashtu, Lumanaj ka një përvojë 9-vjeçare në sistemin bankar, si dhe prej 14 vitesh është asistente-pedagoge pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *