Karavani Ballkanik i Biçikletave nga Shkodra, Podgorica, Banja Luka dhe Beogradi

Vazhdojnë konsulencat mbi teknologjitë e pastra në #GO2Innovation
October 4, 2020
Right to the City 2
November 10, 2020
Show all

Karavani Ballkanik i Biçikletave nga Shkodra, Podgorica, Banja Luka dhe Beogradi

Pas turit me gazetarët në fund të Korrik dhe udhëtimit studimor në fermat e agrobiznesit të organizuar në Gusht, muaji Shtator shënoi edhe një aktivitet tjetër turistik për Organizatën GO2. Partneriteti i Shqipërisë në këtë projekt, i përfaqësuar nga Shkodra, përfshinte edhe 3 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor: Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë. Me mbështetjen e Fondit të Ballkanit Perëndimor – WBF dhe Zyrës Rajonale për Rininë e Ballkanit Perëndimor – RYCO, Karvani Ballkanik i biçikletave Balkaravana 2020 ishte parashikuar të mbahej në pranverë, por pandemia e bëri të pamundur organizimin e tij sipas idesë fillestare. Ajo konsistonte në grumbullimin e një grupi prej 6-7 pjesëmarrësish nga secili vend (24-30 gjithsej) dhe realizimin e një turi 19-ditor me gjatësi rreth 940 km nga Beogradi deri në Shkodër, duke kaluar nëpër Sabac, Bercko, Brod, Banja Lukë, Zenica, nëpër Sarajevë, Foca, Pluzine, Nikshiq, Podgoricë, për të përfunduar në plazhin e Boks Rrjollit, në Velipojë. Në kushtet e reja, turneu u organizua i ndarë, ku secili vend organizonte turneun e vet me pjesëmarrës vendorë.

Shkodra pati rastin të hapte siparin e këtij udhëtimi turistik, i ideuar si një linjë dialogu ndërkulturor dhe paqeje mes të rinjve të qyteteve ballkanike. Ekipi shqiptar përbëhej nga të rinj shkodranë, por edhe të ardhur nga Gjirokastra e largët, të përzgjedhur sipas aplikimit individual online. Itinerari përfshinte udhëtimin me biçikletë të grupit prej 6 vetash në disa prej atraksioneve më të veçanta turistike që ka rajoni i Shkodrës, si monumente natyrore dhe kulturore. Turi nisi me udhëtimin përgjatë brigjeve të Lumit Buna në fshatrat e begatë të Dajçit, Kishën e Shirqit e më pas drejt Detit Adriatik, në plazhin e Baks Rrjollit. Një tur i veçantë u organizua rrëzë Alpeve Shqiptare, nga Shkodra drejt fshatrave Mes, Boks, Dragoç, Vrakë, Shtoj etj, ku u vizituan atraksione kulturore si Ura e Mesit etj. Një tur tjetër iu kushtua brigjeve të pasura të Liqenit të Shkodrës, me ndalesë në Urën e Vjetër të Bunës, në lagjen Shirokë, si dhe në Qendrën e Sporteve Ujore. Gjatë këtyre tureve, pjesëmarrësit patën rastin të vizitojnë vende të pashkelura më parë dhe të njihen me trashëgimi natyrore dhe kulturore të komuniteteve të ndryshme, duke u njohur me mënyrat e tyre të jetesës. Pedaluesit u takuan me pjesëtarë të këtyre komuniteteve pakicë, të cilat Shkodra i ka mikpritur me bujari dhe tolerancë. Dhe mesazhi është i qartë: diversiteti kulturor i ruajtur prej paraardhësve duhet trashëguar te brezat që vijnë. Ky diversitet është një vlerë e shtuar për ofertën turistike të Shkodrës në tregun rajonal të turizmit.