EKSPOZITA DHE ALBUMI FOTOGRAFIK “SHKODRA – FAMILJA, SHTËPIA, HISTORIA IME”

ALBANIA AT URBAN FUTURE GLOBAL CONFERENCE
February 28, 2018
Show all

EKSPOZITA DHE ALBUMI FOTOGRAFIK “SHKODRA – FAMILJA, SHTËPIA, HISTORIA IME”

Shfaqet dokumentari: Familja e Marubëve si nuk e keni njohur në rrëfimet e bashkëkohësve

Një aktivitet i pazakontë u zhvillua të Hënën e 2 Prillit 2018, ora 11:00 në Shkodër, i cili kulmoi me shfaqjen e dokumentarit për banesën shkodrane në hajatin e një shtëpie të vjetër, gati 300-vjeçare, të improvizuar si sallë kinemaje. Filmi dokumentar me titull "NJERËZIT, QYTETI. Një rrëfim jogazetaresk për historinë" është realizuar nga GO2 në bashkëpunim me studion Papadhimitri Production të mjeshtrit të fotografisë Spartak Papadhimitri dhe është ndërtuar në formën e një triptiku: Familja, Shtëpia dhe Historia. Përmes dëshmitarëve të kohës, për herë të parë në film sillen rrëfimet e bashkëkohësve për jetën e përditshme të familjes Marubi, duke zbuluar anët e panjohura të anëtarëve të kësaj dinastie. Skenarist i filmit është Irhan Jubica, njëkohësisht edhe regjisor, në bashkëpunim me gazetarin Lekë Plani.


Filmi u shfaq në kuadër të ekspozitës fotografike për banesën qytetare, të hapur në mjediset e një shtëpie të vjetër shkodrane, të kuruar me kujdes deri në detajet më të imëta. Ky aktivitet mblodhi në shtëpinë e ish-mësuesit Ismet Halili, qindra qytetarë shkodranë, të cilët kishin nxjerrë nga arkivat familjare fotografitë e tyre që nga viti i largët 1890. E titulluar "Shkodra, familja, shtëpia, historia ime", ekspozita e mbështetur nga GIZ ishte kurorëzim i konkursit të shpallur nga organizata GO2 në Dhjetor të vitit të kaluar, thirrje së cilës iu përgjigjën gati 40 familje shkodrane, të cilat sollën rreth 200 foto. Të përgjedhura nga juria, 40 fotot më të mira u përfshinë në albumin voluminoz prej 80 faqesh, i cili u promovua në ditën e hapjes së ekspozitës. I pranishëm në ekspozitë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati theksoi rëndësinë që qyteti i Shkodrës ka jo vetëm për të shkuarën, por edhe të ardhmen kulturore të vendit. Bushati çmoi lart kurajon për të organizuar një aktivitet të tillë larg qendrës së qytetit, për të dhënë mesazhin se edhe lagjet e tjera janë po ashtu urbane dhe kanë ç'të tregojnë. Ndërsa planifikuesja urbane znj. Eltjana Shkreli, në emër të organizatorëve, falënderoi familjen Halili për mikpritjen, e cila i hapi dyert një aktiviteti me kaq rëndësi për të gjithë qytetin. Duke folur për fotografitë pjesëmarrëse në konkurs, anëtari i jurisë, Prof. Dr. Përparim Kabo evidentoi vlerat e tyre nga pikëpamja antropologjike. Në fotot e kësaj ekspozite janë njerëzit dhe banesa, ndërsa pasanikët e sotëm u bëjnë foto vetëm shtëpive luksoze, sepse ata nuk e kuptojnë dimensionin njeri, - tha ai. Në emër të GIZ që e mbështeti ekspozitën dhe albumin, në ceremoni foli përfaqësuesja e Projektit CABRA znj. Shpresa Smajli, e cila tha se ky aktivitet zhvillohet në kuadër të 30-vjetorit të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman. Të pranishëm në ekspozitë ishin edhe profesori i fotografisë, z. Qerim Vrioni, i cili e vlerësoi shumë nismën e kësaj ekspozite, si dhe fotografi i njohur, z. Roland Tasho. Ekspozita qëndroi e hapur deri më 5 Prill dhe u ndoq nga rreth 1 mijë vizitorë. Në ekspozitë u paraqitën edhe 10 fotografi të ardhura nga Prizreni, qytet i cili përmes organizatës EC Ma Ndryshe iu bashkua nismës së organizatës GO2 për të zhvilluar të njëjtin konkurs edhe në Kosovë. Ndërkaq, ekspozita e ardhshme do të mbahet në Maj në Prizren, sipas të njëjtës metodologji, ku Shkodra do të prezantohet me 10 fotografi të zgjedhura. Ekspozita u pasqyrua në disa prej mediumeve kryesore brenda dhe jashtë vendit, si Agjencia Telegrafike Shqiptare, RTV Ora News, Gazeta Shqiptare, gazetat Panorama, Sot, Dita, TemA, Bota Sot, Tv StarPlus, portalet Kultplus, Konica, Telegrafi, Calendar, InaOnline etj.


Kjo është ekspozita, njëkohësisht albumi dhe konkursi i dytë i ideuar dhe realizuar nga organizata GO2. Më 2016, GO2 organizoi ekspozitën e parë, po me fotot përpara vitit 1990, por me temë "biçikleta". Ndërkaq, konkursi i ardhshëm me fotografi para vitit 1990 do të shpallet në vjeshtën e vitit 2018 dhe tema e tij është: Jeta kulturore.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *